Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen e 30-vjeçarit të premten mbrëma në Gjakovë.
Në raportin 24-orësh thuhet se viktima ka raportuar se u plagos nga ish-dhëndrri i tij.
Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një gëzhojë e kalibrit 7.62mm.
I dyshuari gjendet ende në arrati teksa rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar (ish-dhëndëri i tij). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse ku kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë të kalibrit 7.62 mm. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raport.
Ndryshe mbrëmë rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Policia kishte deklaruar se i plagosuri është në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut.
“Sot rreth orës 18:20 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore ishte qëlluar më armë zjarri në rrugën ‘Yll Morina’ në Gjakovë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, përderisa viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë. Nga informatat e para të pranuara nga personeli mjekësor, viktima është jashtë rrezikut për jetë. Aktualisht, policia është duke punuar për t’i sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë rastin, si dhe kapjen e të dyshuarit”, ka thënë Elezi.


