Është anuluar finalja e Superkupës së Turqisë mes Galatasarayt dhe Fenerbahces e cila ishte planifikuar të zhvillohej në kryeqytetin saudit Riad të premten.
Sipas transmetuesit turk NTV, deri te anulimi i ndeshjes ka ardhur pas mosmarrëveshjeje midis klubeve dhe autoriteteve saudite.
Pasi ndeshja përkon me 100 vjetorin e themelimit të Republikës turke laike, drejtuesit e Galatasaray dhe Fenerbahce kishin thënë se nuk do të luanin në finale në stadiumin “Al-Awwal Park” nëse gjatë ngrohjes para fillimit të ndeshjes nuk do të lejoheshin të mbanin bluza me themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk. Mediat turke kanë raportuar se zyrtarët sauditë e kishin refuzuar këtë kërkesë, megjithëse nuk ishte e qartë pse.


