Pep Guardiola shpreson të vazhdojë grumbullimin e tij të trofeve si trajner i Manchester Cityt në Kupën e Botës, për Klube në Arabinë Saudite, vend që për herë të parë po organizon një turne të madh ndërkombëtar futbolli. City udhëton në Jeddah, qytet mikpritës për të shtatë ndeshjet e turneut, duke kërkuar të sigurojë për herë të parë këtë trofe pas tripletës – Liga e Kampionëve, Premier LEague dhe Kupa FA – që e fitoi edicionin e shkuar.
“Na mungon vetëm një trofe për të përfunduar rrethin dhe për të fituar të gjithë titujt që mund të ketë City”, tha Guardiola, i cili tashmë e ka fituar Botërorin e klubeve në tri raste kur ishte trajner i Barcelonës dhe Bayern Munichut. “Ne do të shkojmë atje maksimalisht të përgatitur sepse për ne është një ëndërr”.
Pavarësisht se City është në një seri prej një fitoreje në pesë ndeshjet e fundit në Premier League, kampioni i Anglisë është favoriti kryesor për të triumfuar në Botërorin e klubeve. Që kur Corinthiansi mposhti Chelsean në vitin 2012, fituesit e Ligës së Kampionëve nuk arritën të ngrinin Kupën e Botës për Klube. Pavarësisht, se kush do të dalë fitues nga finalja e 22 dhjetorit, do të ketë një emër të ri në trofe.
Fluminense është përfaqësues i Amerikës së Jugut pasi triumfoi në Copa Libertadores për herë të parë muajin e kaluar. Megjithatë, kërcënimi kryesor për Cityn mund të vijë nga ngritja e Arabisë Saudite si një vatër sportive. Al-Ittihadi është kualifikuar në këtë turne vetëm për shkak të statusit të tij si kampion të vendit pritës, por krenohet me lojtarët që ka në radhët e veta – Karim Benzema, N’Golo Kante e Fabinho – të cilët e kanë fituar Botërorin e klubeve në të kaluarën. Benzema u bë lojtari i parë që ka shënuar ndonjëherë në katër Kupat e Botës për Klube pasi Al-Ittihadin mposhti Auckland Cityn 3:0 në raundin e parë të mërkurën. Pas Aucklandit, skuadra e Al-Ittihadit do të përballet me kampionin e Afrikës, Al-Ahlyn e Egjiptit në ndeshjen çerekfinale. Fituesi i çerekfinales tjetër mes klubit nga Meksika, Leon dhe Urawa Red Diamonds, do të takohet me Cityn kur të hyjnë në këtë garë për fazës gjysmëfinale të turneut. Dy ndeshjet e fazës çerekfinale, do të zhvillohen të premten. Gjysmëfinalja e parë, do të luhet të hënën e ardhshme, ndërsa e dyta një ditë më vonë.
“Sigurisht, nuk e marrim si punë të kryer triumfin në këtë turne, për shkak se ka skuadra të forta. Megjithatë, ne do të jemi plotësisht gati për kundërshtarin e parë dhe do të synojmë që të kthehemi nga Arabia Saudite me trofeun e këtij turneu për të kompletuar numrin e trofeve brenda një viti”, ka thënë Guardiola.
Benzema, Kante dhe Fabinho ishin vetëm disa nga emrat e yjeve, që kanë shkëmbyer së fundmi klubet kryesore evropiane për kontratat e majme që ofrohen në Ligën Pro Saudite. Ky ishte vetëm fillimi i një ofensive, për ta kthyer vendin në një fuqi futbolli. Arabia Saudite do të jetë nikoqire e Kupës së Botës 2034 dhe duket pothuajse e sigurt se do t’i jepen edhe versionet e ardhshme të Kupës së Botës për Klube të rinovuar. Ky do të jetë edicioni i fundit i formatit aktual përpara se të zgjerohet në një turne me 32 ekipe, që do të mbahet çdo katër vjet prej vitit 2025. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të presin Kupën e parë të zgjeruar të Botës për Klube, ndërsa përgatiten për të mirëpritur Kampionatin Botëror të vitit 2026. Botërorin e vitit 2026, SHBA-ja do të bëjë në bashkorganizim me Meksikën dhe Kanadan.


