Trajneri nga Spanja, Roberto Moreno nuk do të jetë përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës. Moreno ka preferuar që punën e tij si trajner ta vazhdojë në ndonjë klub dhe ka zgjedhur ekipin nga Rusia, Sochi.
Gazeta spanjolle “AS” ka raportuar të enjten se Moreno tashmë ka firmosur kontratë me ekipin rus, tek i cili do të prezantohet së shpejti.
Moreno është pajtuar me kontratë deri në vitin 2025 te Sochi, ekip që e ka preferuar para ofertës së Kosovës dhe skuadrës nga Turqia, Adana Demirspor.
Ditët e fundit ishte raportuar se Moreno është favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës pas takimit që e pati në Stamboll me drejtuesit e FFK-së. Megjithatë, thuhet se Moreno ka preferuar projektin e Sochit, i cili është shumë ambicioz dhe për këtë arsye ka refuzuar ofertat tjera.
Sochi zë vendin e fundit në kampionatin e Rusisë, ndërsa Moreno është trajner i katërt këtë edicion.
Sochi është klub në pronësi te Boris Rotenbergut, njërit prej personave më të pasur dhe më të fuqishëm në Rusi. Moreno do të ketë kohë të mjaftueshme për ta përgatitur ekipin gjatë pushimit dimëror, i cili në Rusi zgjat deri në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm.


