Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas nënshkrimit të kontratës për energjinë, mes KEDS-it dhe Elektroseverit, duke e quajtur këtë si lajm i mirë.
Von Cramon, në platformën X, ka thënë se ky është një hap përpara drejt zbatimit të marrëveshjeve, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Lajm i mirë për të parë nënshkrimin e kontratës për energjinë ndërmjet KEDS dhe Elektrosever. Ky është një hap në drejtimin e duhur drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve në pritje për të pasur më në fund normalizimin e plotë mes Kosovës dhe Serbisë. Integrimi në BE është qëllimi ynë i përbashkët”, ka shkruar Von Cramon në “X”.
Edhe i dërguari i posaçëm për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se e mirëpret nënshkrimin e së shtunës të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit.
Kurse sipas KEDS-it, ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe thonë se janë të kënaqur që kanë arritur këtë moment historik.



