Armend Muja, kryetar i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, në tryezën e rrumbullakët të organizuar të enjten nga Iniciativa për Progres (INPO), me temë “Shqyrtimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik”, ku u prezantua raporti i monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për periudhën janar-shtator 2023, tha se Kuvendi nuk ka pasur informacion për ndryshimin e rregullores së OSHP-së.
“Sa i përket rregullores, ne si Kuvend nuk e kemi pas si info që është modifiku kjo rregullore”, tha Muja.
Po ashtu, ai tha se ndryshimi i kësaj rregulloreje nuk ka qenë i përfshirë as në Planin e Punës, e që sipas tij, bëhet në vitin paraprak.
Në lidhje me këtë, Muja deklaroi se është interesante të shihet se përse është ndryshuar rregullorja dhe se presin shpjegime për këtë çështje.
Ai tha se vlera e OSHP-së qëndron se është kolegjial, duke shtuar se në këtë mënyrë nuk është arbitrar.
“Nuk jam i bindur se duhet të jetë individual… nuk e kemi pas këtë informacion”, tha Muja.
Paraprakisht, ai tha se një prej shqetësimeve është edhe zvarritja në zgjidhjen e ankesave, e që tha se kanë kërkuar nga OSHP që këtë vit të identifikojnë indikatorët e performancës, e që sipas tij nuk i kanë sjellë ende, shkruan Betimi për Drejtësi.
Iniciativa për Progres (INPO), të enjten ka organizuar tryezën me temë “Shqyrtimi i Korrupsionit në Prokurim Publik”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO). Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

