Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.7 milion euro për mbështetjen e bizneseve fillestare dhe atyre ekzistuese.
Vendimi u mor në kuadër të zbatimit të masës 1.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për skemat e granteve për zanatet.
“Me qëllim të adresimit të shkallës së lartë të papunësisë në vend si dhe aftësimit profesional në zanate, do të mbështesim me grante për vetëpunësim të gjithë ata që janë të gatshëm të mësojnë aftësi të reja, për të cilat do të çertifikohen. Vlera e këtyre granteve arrin shumën deri në 3,000 euro, ku granti do të mbulojë blerjen e paisjeve dhe themelimin e biznesit, pas përfundimit të trajnimit me sukses dhe çertifikimit”, thuhet ndër tjerash në masën 1.7 të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se këto të holla do t’i transferohen Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.


