Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nga PDK kanë qenë të pranishëm deputetët e kësaj partie, si dhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura dhe nënkryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku.
Po ashtu, mes tyre ka qenë edhe ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Në mesin e tyre ishte edhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i cili ka thënë se fati ka dashur që komandanti legjendar, Adem Jashari, të jetë një nga kolosët shqiptarë.
“Jemi këtu për nderime në Memorialin ‘Adem Jashari’ në Nëntorin e spikatur të shqiptarëve që është po ashtu ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, e që tregon se edhe fati e vulosi që të ishte një ndër kolosët shqiptarë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se në Prekaz përfshihen një sërë ngjarjesh që personifikojnë sakrificën për lirinë e të gjithë shqiptarëve.
“Ne ishim në mënyrë institucionale si pushtet lokal bashkë me struktura të Partisë Demokratike të Kosovës me rastin e Flamurit, festë që ngërthen në vetvete një varg ngjarjesh që personifikojnë sakrificën për lirinë e gjithë shqiptarëve”, është shprehur ai.


