Grupi militant i Hamasit ka vonuar dorëzimin e pengjeve izraelite, duke akuzuar Izraelin se ka shkelur marrëveshjen për shpërndarjen e ndihmave në Gazë dhe se ka ndryshuar listën me emrat e të burgosurve që do të lironte si pjesë e marrëveshjes.
14 pengje që po mbaheshin nga grupi militant i Hamasit pritej të liroheshin të shtunën pasdite.
Si pjesë e marrëveshjes për armëpushimin e përkohshëm, Izraeli të shtunën në mbrëmje do të lironte 42 të burgosur palestinezë.
Mirëpo Hamasi të shtunën pasdite ka deklaruar se do të vonojë procesin për shkak të numrit të kamionëve me ndihma që kanë arritur në Gazë.
Një zyrtar i Hamasit ka thënë se dorëzimi i pengjeve është shtyrë për shkak se Izraeli ka lejuar vetëm tre kamionë në veri të Gazës, nga 100 sa ishin marrë vesh.
Ky zyrtar i Hamasit ka thënë se Izraeli ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit duke fluturuar dronët mbi jugun e Gazës.
Izraeli ka reaguar menjëherë, duke mohuar të gjitha pretendimet e grupit militant.


