Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka pritur në takim homologen e saj – ministren e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës, të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib.
Rëndësia e mbështetjes së Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian ishte temë diskutimi.
“Rritja e bashkëpunimit ekonomik, integrimit euro-atlantik i Republikës së Kosovës në prag të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia e vazhdimit të mbështetjes së shtetit belg mbi anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Kosovës në Këshillin e Evropës ishin disa nga temat ku u përqendrua diskutimi në mes Ministres Gërvalla dhe Ministres, Lahbib”, thuhet në një komunikatë.
Siç theksohet në njoftim, Gërvalla dhe Lahbib theksuan përkushtimin dhe vullnetin e dyanshëm për ngritjen e këtij bashkëpunimi në një nivel edhe më të lartë në fushat e interesit të përbashkët.
“Ministrja Gërvalla i shprehi mirënjohje homologes belge për ngritjen e nivelit të përfaqësimit diplomatik në nivel Ambasade nga shteti belg në Republikën e Kosovës duke theksuar se kjo është dëshmi e thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy vendeve”, theksohet tutje.



