Deputetët e Kuvendit të Kosovës ratifikuan sot edhe marrëveshjen në vlerë prej 20.2 milionë euro për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural nga të cilat 10.2 milionë janë financim i Qeverisë Gjermane dhe 9.2 milionë grant nga Komisioni Evropian.
E kalimit të kësaj marrëveshje i është gëzuar edhe vetë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Ai tha se sigurimi i miliona eurove për shtetin e Kosovës, respektivisht sektorin e bujqësisë erdhi në shprehje vetëm falë punës së mirë që po bën Qeveria Kurti 2, e cila po transformon këtë sektor.
“E gjetëm ministrinë të zhytur në krim e korrupsion! Qeveria Kurti 2 e ka transformuar rrënjësisht këtë sektor e kjo po reflektohet edhe në kthim të përkrahjes së partnerëve strategjikë! Si rezultat i drejtimit me duar të pastra vetëm këtë vit siguruam 10.2 milionë euro nga Qeveria Gjermane e 9.2 milionë euro grant nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme”, ka shkruar në reagimin e tij ministri Peci.
E sot në Kuvend me 83 vota pro u ratifikua Marrëveshja në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për Projektin Mbështetja për Zhvillimin e Qëndrueshëm te Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve
Ministri Peci tha se propozimi në fjalë është iniciuar duke pasur parasysh përvojën e ndërtuar gjatë bashkëpunimit të MBPZHR dhe GIZ në kuadër të fondeve të zbatuara nga Qeveria Gjermane dhe e cila ka për qëllim diversifikimin e fermave dhe aktivitetet alternative në zonat rurale në Kosovë.
“Ky grant do të ndikojë në zhvillimin e zonave rurale, përmes krijimit të mundësive të reja të punës ose vetëpunësimit dhe ruajtjen e vendeve të punës ekzistuese nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve të agrobiznesit, duke kontribuar kështu në qëndrueshmërinë e fermës dhe ngritjen e nivelit të aktivitetit ekonomik në po ato zona rurale”, ka thënë Peci.


