Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për kërcënim ndaj gazetarit të Klan Kosova, Herolind Ademit, është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se veprimi policor ka qenë i menjëhershëm.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme. Një person është identifikuar dhe shoqëruar në Polici për procedura të intervistimit. Të gjitha veprimet do të ndërmerren në koordinim me prokurorin”, ka thënë Hoxha.
Ndryshe, sot, gazetari i televizionit Klan Kosova, Herolind Ademi, është kërcënuar me jetë për shkak të hulumtimit që është duke realizuar në lidhje me piraterinë e një IPTV-ie.
Kështu ka bërë të ditur, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG), me anë të një njoftimi ku thuhet se një qytetar me inicialet B.B. i ka dërguar gazetarit disa mesazhe telefonike, duke e kërcënuar me jetë për shkak të përgatitjes së raportit, ku ai është një nga subjektet.
“Një pjesë e mesazhit shqetësues është ‘Haver, vec mbyllunse saktë ta kam adresën po të tregoj veq mbyllun dhe kos dil. Vec po t’kallxoj terheku prej meje e mos mu përzij se nuk ha ma bukë. Fol me kon dush po t’kallxoj mos mu përzij në punë të mia që din me jetu edhe naj dit qikaq di me t’than pikë”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Nëpërmjet reagimit, AGK-ja ka shprehur shqetësim të thellë dhe e ka konsideruar si të papranueshëm dhe shumë të rrezikshëm mesazhin kërcënues ndaj gazetarit.


