Institucionet e shtetit kanë përfunduar aksionin e tyre që e vazhduan edhe sot për të luftuar zhvillimin e veprimtarive në kundërshtim me ligjet që po bëjnë disa subjekte afariste në Prishtinë.
Organet e rendit nga policia e prokuroria së bashku me ata nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati i Tregut nga MINT, sot për disa orë janë futur brenda biznesit që për veprimtari ka shitjen dhe servisimin e telefonave mobilë.
Bëhet fjalë për mobil shopin “FITA Service”, nga i cili siç mëson KosovaNews janë konfiskuar një numër i madh i telefonave në vlerë diku rreth 100 mijë euro.
Burime brenda institucioneve tregojnë se Policia e Kosovës i ka konfiskuar 69 telefona, kurse inspektorët nga MINT konfiskuan 57. Pra, gjithsej janë konfiskuar 126 telefona me një vlerë prej diku rreth 100 mijë euro.
Po ashtu burimet brenda institucioneve thonë se konfiskimi është bërë pasi që telefonat nuk janë të mbuluar me dokumentacion dhe për rrjedhojë është e dyshuar prejardhje e tyre.
Nga hetimet e deritashme dhe të gjeturat gjatë kontrollimeve të fundit në këtë biznes është krijuar dyshimi se aty janë kryer veprat penale – shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore, – kontrabandimi i mallrave, dhe – shmangia nga tatimi.
Për gjithë këto të gjetura, institucionet e shtetit do të vazhdojnë procedurat tutje deri edhe me kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.
Kujtojmë se aksioni i madh në ‘Mobile shop’-e në Prishtinë nisi dje nga dhjetëra hetues policorë nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe inspektorë nga MINT, me ç’rast janë kontrolluar 31 dyqane.
Ndërsa nga aksioni i djeshëm janë sekuestruar 118 telefona të mençur, tre tabletë, dhe 11 airpods.


