Një 20-vjeçar ka humbur jetën në vendin e punës në Partesh, pasi dyshohet se ka rënë në makinerinë e përzierjes së betonit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se rasti ka ndodhur të hënën në mbrëmje.
Ai ka bërë të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe se aty është konfirmuar vdekja.
“Trupi i viktimës është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit por mjekët aty kanë konfirmuar vdekjen e tij. Për rastin është njoftuar Prokurori dhe së bashku me Inspektoratin e punës kanë dalë në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e Hashanit.
Në raportin 24-orësh, rasti është cilësuar si “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
“Partesh / 06.11.2023 – 11:40. Raportohet se viktima mashkull kosovar derisa ishte në vendin e punës ka pësuar lëndime trupore, me ç’rast i njëjti është dërguar në Spitalin e Gjilanit ku si pasojë e lëndimeve të marra viktima ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.


