Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe ishte ankuar gjatë javës së kaluar se serbët kanë mbetur pa barna në institucionet paralele shëndetësore të tyre.
Ndonëse Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ishte duke e trajtuar këtë çështje, Serbia ka dërguar në kufi kamionë me barna.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Falë luftës intensive dhe të gjatë diplomatike, kontingjenti i barnave tona do të dërgohet së shpejti në spitalet e serbëve në Kosovë. Dy kamionë tërheqës dhe një kamion me barnat e nevojshme dhe solucionet infuzive kanë hyrë në në Kosovë mbrëmë dhe pas procedurave do të shpërndahen nëpër institucionet tona shëndetësore”, ka deklaruar Petar Petkoviq – Qeveria e Serbisë.
Por, këto barna akoma nuk kanë arritur në destinacionet brenda Kosovës drejt të cilave ishin nisur.
Dogana e Kosovës i ka treguar Dukagjinit se kjo dërgesë është në mbikëqyrje doganore derisa Ministria e Shëndetësisë të marrë një vendim.
“Një dërgesë me barna donacion është deklaruar për zhdoganim pranë Doganës së Kosovës. E njëjta i është nënshtruar aplikimit për lejim importi pranë Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës do të trajtojë këtë kërkesë konform procedurave dhe dispozitave ligjore dhe deri në përfundim, dërgesa mbetët nën mbikëqyrje doganore”, kanë thënë nga Dogana e Kosovës./rtvd


