Kompanisë “Beni Dona”, e cila është e kontraktuar nga Policia për furnizim me ushqim, nuk po i largohen skandalet. Sipas raportimeve të fundit, kjo kompani në kuzhinën e Njësisë Speciale në Vrellë, tani u ka shërbyer policëve ushqime (supë) me insekte, ndërsa pas një inspektimi që aty kanë bërë inspektorët nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, është evidentuar edhe mish i dyshimtë për përdorim dhe i njëjti është asgjësuar.
Ushqimi që servohet policëve në kuzhinën e kampit të Njësisë Speciale të Policisë në Vrellë të Lipjanit, është i ekspozuar ndaj insekteve dhe për këtë raportoi KOHA mbrëmë, ku edhe ofroi pamje të saj, e ku shihej miza në supë.
E pas ngritjes së dyshimeve për ushqimin edhe nga vet policët, inspektorët nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) kanë kryer një inspektim.
Zëdhënësi i AUV, Lamit Thaçi i tha KosovaNews se pas inspektimeve kanë urdhëruar që të vendosen rrjeta në dritaret e hapësirave ku shërbehet ushqimi për policët, ndërsa që janë asgjësuar 2.2 kg mish të bluar, i cili është vlerësuar si e dyshimtë dhe jo i sigurt për përdorim.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka organizuar inspektim ne Kampin e Njësisë Speciale në Vrellë. Sipas raportit të vlerësimit inspektues është konstatuar se ekzistojnë kushtet Teknike dhe Higjenike Sanitare për të ushtruar veprimtarinë e gastronomisë. Dyshemeja është nga materiali epoksit lehtë i pashterueshëm. Pajisjet janë nga materiali Inoks, Ventilimi dhe ndriçimi janë funksional. Nyjat hidrosanitare janë ne rregull, ka furnizim të rrjedhshëm me ujë”, tha Thaçi.
Ai sqaroi se aty janë hasur rrjeta kundër insekteve vetëm në dritaret e kuzhinës, por jo edhe në hapësirën ku shërbehen konsumatorët.
“Në dritaret e kuzhinës kishte rrjeta kundër insekteve, ndërsa ne hapësirën ku shërbehen konsumatorët nuk kishte rrjeta neper dritare qe hapen. Masat profilaktike për DDD dhe Librezat Sanitare të punëtoreve janë me afat valid. Produktet ushqimore janë brenda afatit te skadencës dhe ruhen ne kushte adekuate”, u shpreh më tej Thaçi.
Por, aty u hasën edhe 2.2 kg mish të dyshimtë, sasi kjo që është asgjësuar.
“Gjatë inspektimit është hasur një sasi e mishit të bluar, e cila sipas vlerësimit organoleptik, ka ndryshuar vetitë tipike të këtij produkti dhe si i tillë, duhet të asgjësohet. Kanë qenë 2.2 kg që janë asgjësuar në prezencë të inspektorëve”, tha Thaçi.
Dyshime për ushqim jashtë standardeve që u shërbehet policëve, ka pasur edhe në të kaluarën.
Kohë më parë KosovaNews ka raportuar për ushqim me afat të skaduar që kompania “Beni Dona”, u ka servuar policëve të Njësisë Speciale.
E të përballuar shumë herë me probleme me cilësinë e ushqimit, qysh në fillim të këtij viti Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe asaj të Mitrovicës ka ngritur kallëzim penal kundër pronarit të kompanisë “Beni Dona Plast” Ragip Mustafa i njohur ndryshe si Ragip “Zhaba” i cili njëherit ishte edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Kompania “Beni Dona Plast” me pronar Ragip Mustafën i cili njihet si njeri i afërt me Agim Veliun dhe ish-Kryeministrin Isa Mustafa është njëra ndër kompanitë më të mëdha që ka përfituar tender publik me dhjetëra miliona euro që nga paslufta.


