Tre infermieret e dyshuara për dhunë fizike ndaj të moshuarës në Pejë, Aulona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi, kanë dalë të hënën para gjykatës.
Po ashtu, në Gjykatë ka mbërritur edhe vajza e të moshuarës, Minire Nuraj.
Aulona Pelaj akuzohet për rrahjen e të moshuarës, ndërsa Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi dyshohen për veprat “Dhënia e ndihmës” në kryerjen e dhunës si dhe “Fotografim apo incizim i paautorizuar”.
Pamjet kur Aulona Pelaj e rrihte me shuplaka dhe shkelma të moshuarën në shtëpinë e pleqve tronditën opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe pati reagime të shumta.
Më 4 maj 2023, është ngritur aktakuzë ndaj tri infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës në Qendrën për të Moshuar “Orenda” në Pejë, kishte bërë të ditur Prokuroria Themelore në Pejë.
Me anë të një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Pejë kishte bërë të ditur se sipas aktakuzës, tri të pandehurat, në cilësinë e infermiereve, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, që të njëjtën ta vënë nën kontroll, shkruan dukagjini.com
Krahas kësaj, sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lart. Tutje, thuhet se Prokurori i çështjes ka propozuar që tri të pandehurat të shpallen fajtore.
E moshuara që ishte sulmuar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë, ka edhe shenja të dhunës dhe përvëlimit. Kështu kishte treguar ekspertiza mjekoligjore që i është bërë viktimës


