Policia e Kosovës, përmes njësisë FAST Kosova, të hënën ka arrestuar një person me inicialet A.B, 43-vjeçar, me arrest ndërkombëtar në Interpol, i kërkuar nga Serbia për vuajtje dënimi prej 3 vite e 4 muaj burgim, lidhur me veprën penale “Korrupsion”.
“Policia e Kosovës, konkretisht ILECU-FAST KOSOVA, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere, sot më 30.10.2023, ka arrestuar një person në kërkim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa lidhur me rastin do të ndërmerren masat sipas procedurave në raste të tilla.
Policia e Kosovës, siç ka njoftuar, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme në vend, përfshirë edhe forcimin e bashkëpunimit policor në rrafshin ndërkombëtar.


