Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mbajti sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për subvencionimin e 35 ndërmarrjeve për blerjen e makinerive prodhuese/përpunuese.
Kjo skemë e cila është në funksion të zbatimit të Politikës Industriale, ofrohet për sektorët prioritar të identifikuar gjatë analizës së performancës industriale dhe studimeve të zingjirëve të vlerës për zhvillim industrial.
Ministrja Hajdari, para të pranishmëve, tha se përkrahja për bizneset vendore është një ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke përmendur edhe mbështetjen e deritanishme të 322 ndërmarrjeve përmes granteve në vlerë prej 11.86 milion euro, në fushat e avancimit të makinerive prodhuese, certifikimit të produkteve, fuqizimit digjital dhe trajnimeve për zhvillim të biznesit, ku 40% e përfituesve të granteve janë gra.
Përveç kësaj, ministrja Hajdari tha se janë mbështetur edhe 395 ndërmarrje në vlerë prej 12.4 milion euro, të përzgjedhura nga MFPT për masën 2.1, me subvencionim të kredisë me 15% të shumës dhe për ato me 5% të shumës, duke u zotuar se përkrahja për bizneset do të jetë e vazhdueshme.
Këto subvencione që u dhanë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, kanë për qëllim rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve prodhuese, rritjen e konkurrueshmërisë dhe eksportit, zvogëlimin e deficitit tregtar dhe hapjen e vendeve të reja të punës.








