Shoqëria civile në Kosovë dhe Serbi ka ripërsëritur përkushtimin e saj për të punuar në mënyrë aktive drejt normalizimit të marrëdhënieve në të gjithë rajonin.
Në një deklaratë të përbashkët të disa OJQ-ve në Kosovë dhe Serbi, është thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka pasur ndikim të thellë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Narrativat përçarëse – që burojnë nga përbrenda politikës, medias dhe gjetiu – po nxisin tensione, veçanërisht ndërmjet vetë komuniteteve që e bartin barrën e konfliktit. Ndjenjat e pasigurisë i përshkojnë komunitetet në mënyra shumë të dallueshme dhe të thella. Të gjithë po luftojnë me pasojat përkundrejt shkaqeve të krizës. Kujtimet e së kaluarës po risjellen në kujtesë përmes realiteteve të së tashmes. Kostot e krizës janë më të dukshme se kurrë. Shumë sish raportohet se tashmë janë larguar ose se po planifikojnë të largohen, jo vetëm nga veriu i Kosovës, por nga mbarë rajoni”, është thënë në deklaratën.
Deklarata është nënshkruar nga 19 organizata joqeveritare.
Këto OJQ kanë thënë se janë të përkushtuar të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve në të gjithë rajonin.
“Jemi të përkushtuar që Kosovën dhe Serbinë t’i bëjmë vendet më të mira të mundshme për të jetuar, sidomos për gjeneratat e ardhshme. Zgjidhja e armatosur e konflikteve nuk duhet të jetë alternativë ndaj dialogut, pavarësisht sa kohë mund të marrë kjo. Ne duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të zhvillojmë nisma të përbashkëta për ta transformuar shoqërinë tonë. Është jetike që njerëzit të qëndrojnë së bashku për t’u përballur me narrativat që gjenerojnë konflikte, ndërkohë që hapin – dhe vetë mbeten të hapur ndaj – kanaleve të reja të komunikimit dhe burimeve të reja të informatave. Pavarësisht sfidave dhe ngecjeve, ne mbetemi të përkushtuar ndaj një kursi të tillë. Ne jemi veprimtarë të shoqërisë civile, të përkushtuar për të punuar në mënyrë aktive për normalizimin e marrëdhënieve në të gjithë rajonin. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të të gjitha niveleve që t’i mbështesin hapat për ndërtimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit brenda dhe ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në pajtim me kushtet dhe frymën e udhërrëfyesit të fundit për normalizim – veçanërisht nenit 6, përmes të cilit palët janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen në fusha të ndryshme”, thuhet në deklaratën.
Këto organizata të shoqërisë civile kanë thënë se janë të gatshme të marrin përsipër të bëjnë gjithçka që është e mundur për rivendosjen e besimit te njëri-tjetri, “tek institucionet tona dhe tek partnerët tanë ndërkombëtarë”.
“Ne jemi të përkushtuar të krijojmë një mjedis më të mirë, një hapësirë më të gjerë, në të cilën marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve mund të ngrihen në shkallë më të lartë për të mirën e të gjithë njerëzve në Serbi dhe në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Nënshkruesit
1. Aktiv
2. Centre for Peace and Tolerance
3. Community Building Mitrovica
4. Foundation BFPE for a Responsible Society (BFPE)
5. Foundation Heartefact Fund, Belgrade
6. Gorazdevac Media Group
7. Institute for Public Research – IJI, Gracanica
8. Kosovo Law Institute
9. Lawyers’ Committee for Human Rights (YUCOM)
10. Local Peace
11. Livrit Creative Center
12. New Perspektiva, Kosovo
13. New Social Initiative (NSI), North Mitrovica
14. Peer Educators Network – Pristina
15. Rahim Salihi, Civil Society Activist, Bujanovac
16. Vjollca Krasniqi, University of Prishtina
17. Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo
18. Youth Initiative for Human Rights in Kosovo
19. Youth Initiative for Human Rights in Serbia


