Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar vlera e remitencave deri në muajin shtator ka arritur vlerën mbi 1 miliard euro.
Sipas BQK-së kjo paraqet një rritje prej 12 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Një miliard e 12.6 milionë euro është vlera e remitencave deri në muajin shtator, gjë që paraqet rritje prej 11 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitencave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 57.4%, pasuar nga kanalet tjera me 24.4% dhe bankat me 18.2%.
BQK-ja tregon se 70% e dërgesave të mërgatës vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ku Gjermania ka pjesëmarrje me 38.1%, ndjekur nga Zvicra me 17.6% dhe SHBA-ja me 7.5%.
Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, deri në muajin shtator thuhet se vlera e tyre ishte 298.1 milionë euro. Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.62 miliardë eurove.
Në fund, BQK-ja ka bërë të ditur se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit shtator 2023 janë rritur për 3.1 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 479 milionë eurove.


