Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale e Hetimeve Kufitare ‘Veriu’, ka parandaluar edhe një rast të kontrabandës nga Serbia.
Në një njoftim për media thuhet se kontradanda bëhej me një veturë kombi me targa vendore, ku drejtues ishte personi i dyshuar T. A., m/k (viti i lindjes 1972).
“Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur të ngarkuara 22 dele pa dokumentacion të nevojshëm, ku dyshohet se disa prej tyre janë të kontrabanduara nga territori i Serbisë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se me autorizim të prokurorit kompetent, rasti procedohet në procedurë të rregullt, delet dhe mjeti sekuestrohen, ndërsa në koordinim me Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe veterinës (AUV) po ndërmerren veprimet e mëtejme.
Edhe në këtë rast, Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative dhe të paligjshme në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.





