Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka lidhur me Kosovën dy nga tri objektivat që pret në politikën e jashtme të qeverisë së re të këtij shteti. Në një intervistë për “The Guardian” ai ka thënë se pret që të ruhet qasja për pavarësinë e Kosovës dhe që shteti i Malit të Zi t’i ruajë raportet fqinjësore.
Ai ka theksuar se orientimi properëndimor i Malit të Zi nuk duhet të ndryshojë, edhe pse aleati i tij ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me parti proserbe për të formuar qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare në verë. Ai është zotuar për “rreshtim 100 për qind me politikën e jashtme të BE-së dhe më shumë kredibilitet në NATO”.
“Si president kam qenë i qartë që nga zgjedhjet se tri objektivat në politikën e jashtme mbesin: Anëtarësim më kredibil në NATO, 100 për qind rreshtim me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionimin e Rusisë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe raporte të mira fqinjësore, përfshirë me Serbinë dhe Kosovë. Këto janë parimet që i pres nga Qeveria e re”, ka thënë ai.
Duke folur për qeverinë e re të Malit të Zi, Milatoviq i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të vë në funksion zotimet për zgjerim. “I gjithë procesi i BE-së gjatë 10 vjetëve të fundit është bërë shumë teknik dhe që zgjerimi i madh në lindje më 2004, ka humbur dimensionin e vet politik. Agresioni rus kundër Ukrainës ka shërbyer si thirrje zgjimi në Bruksel dhe kryeqytetet tjera evropiane se pranimi duhet të jetë në aspektin gjeopolitik. Sigurisht, mbetet dimension teknik, por pranimi jonë do t’i tregonte publikut spektik se zgjerimi është gjallë dhe s’është çështje vetëm për elitat”.
Republika me 620 mijë banorë pati aplikuar për t’iu bashkuar BE-së më 2008, dy vjet pas pavarësimit nga Serbia, por përparimi ka ngecur për shkak të korrupsionit, ndikimit sovjetik e jostabilitetit politik.
Milatoviqi u zgjodh president në prill në moshën 37-vjeçare. Duke përfaqësuar partinë e re “Evropa Tani”, Milatoviq rrëzoi nga pushteti Milo Gjukanoviqin, që me Partinë Demokratike të Socialistëve ka udhëhequr Malin e Zi që nga pavarësimi. Milatoviqi është zotuar për ringjallje ekonomike e luftim të korrupsionit. Ka premtuar edhe “pajtim” të grupeve etnike. Sipas tij, tashmë janë bërë përparime vitale në reformat gjyqësore, ndërsa ka shtuar se ka pasur mungesë të konsensusit politik, për t’i plotësuar pozitat vakante, përfshirë kryeprokurorin, që është pozitë bosh që nga qershori i vitit të kaluar. Ai ka thënë se s’ka tolerancë ndaj korrupsionit e se shumica e re parlamentare duhet t’i kryejë punët e zgjedhjeve në gjyqësor deri në fund të vitit. Përparimi në sundim të ligjit “do të ishte sinjal masiv se shteti po përparon”, ka thënë ai.
Siç shkruan “The Guardian”, një pjesë e vrullit të Milatoviqit “është zbehur” për shkak të pamundësisë që Milojko Spajiq, i nominuar për kryeministër dhe bashkëthemelues i “Evropa Tani” të formojë qeverinë. Partia e tij doli e para në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 24 nga 81 ulëset në Kuvend. Spajiq përjashtoi koalicionin me DPS-në, por dështoi të siguronte shumicën edhe me 18 partitë tjera që fituan ulëse. Javën e shkuar përfundoi duke krijuar aleancë që ia mundësoi rrugën drejt pushtetit për koalicion proserb.
Vendimi çoi në kritika nga ambasadorja amerikane në Malin e Zi që ka thënë se nëse formohet një qeveri që përfshin partitë që kundërshtojnë aktivisht “vlerat euroatlantike” do t’i pengonte aspiratat pro-BE të Malit të Zi. SHBA-ja ka shprehur frikën se me forcat proserbe, Spajiq do të krijonte një qeveri jofunksionale dhe se do të humbte shpresat e veta pro-Be.
Megjithatë, Milatoviq ka këmbëngulur se objektivi kryesor i Spajiqit ka qenë që të sigurojë shumicën e madhe në parlament për të zhbllokuar reformat në drejtësi.
Tash shteti përballet me rrezikun për ndarje etnike, për shkak se opozita ka kërcënuar me bojkot të procesit të regji


