Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të ndërtesës së re të çerdhes për fëmijë të fshatit Godanc në Komunën e Shtimes.
Kurti u shpreh i lumtur për ndërtimin e çerdhes së re në Shtime, ku sipas tij edukimi i hershëm është i rëndësishëm për karrierën e fëmijëve.
Ai tha se kjo është çerdhja e 31- të e cila është ndërtuar dhe Qeveria ka ndarë pesë milionë euro që do të investojë në çerdhe të tjera.
“Edukimi i hershëm është vendimtar për karakterin dhe tejet i rëndësishëm për karrierën e këtyre fëmijëve një ditë kur ata do të rriten dhe do t’i vazhdojnë punët e mira që i bënë brezi ynë edhe për vetën e tyre, por edhe për ata që do të vijnë pas tyre. Qeveria e Kosovës deri më tash ka investuar 10.7 milionë euro para të buxhetit të shtetit tonë për çerdhe dhe janë edhe 5 milionë të tjera prej IPA fonde prej BE. Kjo është çerdhja e 31 në mesin e atyre që i kemi ndërtuar rinovuar e adaptuar”, tha ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se pas finalizimit të kësaj çerdhe planifikojnë edhe ndërtimin e gjashtë çerdheve të tjera.
Ajo tha se synimi i qeverisë është ndërtimi i çerdheve në zona rurale për të ofruar mundësi si për fëmijët ashtu edhe për nënat e reja që të kenë mundësi për punësim.
“I inkurajoj të gjithë kryetarët e komunave që të identifikojë lokacionet që i kamë dhe t’i sjellin kërkesat me kohë te MASHTI sepse Qeveri ka ndarë buxhetin e mjaftueshme për ndërtimin e çerdheve të reja. Ne jemi të gatshme që të investojmë në secilën prej komunave të cilat e kanë të plotësuar dokumentacionin e mëvonshëm”, tha ajo.
Edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu u shpreh falënderues për ndërtimin e çerdhes në Godanc në vlerë prej 400 mijë eurosh, derisa shtoi se gjatë mandatit të tij planifikon ndërtimin e çerdheve edhe në disa fshatra të tjerë në këtë komunë.
“Po fillon nderimi i çerdhes kaq të nevojshme për këta mbi 5 mijë banor. Një çerdhe që do të kushtoj rreth 415 mijë euro për më shumë se 70 shtretër për më të vegjlit tanë”, tha ai.





