Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ardhshëm të shtetit dhe pas shqyrtimit të ankesave të shumta nëpër gjykata, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër.
Në një konferencë për media të martën, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.
Ajo ka thënë se i ka dërguar të martën KPK-së vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion një vit e gjysmë më parë në procesin e përzgjedhjes.
Presidentja ka shtuar se ka vonuar në vendim për shkak të kontestimit të procesit nëpër gjykata, por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli të pasafatshëm procesin e kontestimit, duhet duhet të sqarohet se “asnjë gjykatë s’i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtjesor”.
Osmani ka thënë se Kryeprokurori i Shtetit si institucion ka funksionuar me ushtrues detyre.
Procesin e përzgjedhjes së Isufajt kryeprokuror, Osmani e ka cilësuar me shumë shkelje.
Ka thënë se ka pasur shmangie nga kriteret ligjore, ka pasur mohim të mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së, ka pasur shkelje të procedurave të reputacionit profesional të kandidatëve, shkelje të procedurave të vlerësimit të integritetit të kandidatëve, vlerësimit të konceptdokumentit, cenim të barazisë e shkelje të meritokracisë.
“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fondamentale të Kushtetutës sonë, sikur edhe prodhon padrejtësi konkrete e diskriminim, të mos rri duarkryq. Prandaj sot e kam njoftuar KPK-në lidhur me këtë vlerësim të procedurës, që duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura më obligon që të mos bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se ajo ishte kërcënuar nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.
“Në një shtet demokratik zyrtarët e institucioneve të drejtësisë nuk mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit. Jo vetëm ata, por askush. Prandaj duhet vettingu…”, ka theksuar Osmani, ndërsa ka shtuar se askush nuk mund të marrë nënshkrime me presion.
Osmani ka thënë se nuk mund t’i deponojë kërcënimet te personat që e kanë kërcënuar. Ka shtuar se nuk do të ndikohet nga askush dhe do të punojë vetëm me ligjet e Kushtetutës së Kosovës.
Në fund të shtatorit, Gjykata Kushtetuese, si instanca më e lartë, pati vendosur që ankesa e kundërkandidatit të Isufajt, Shqipdon Fazliu, ishte e pasafatshme. Ishte ky proces gjyqësor mbi të cilin presidentja Vjosa Osmani arsyetonte mosdekretimin e Isufajt, tash e një vit që nga zgjedhja si kryeprokuror.