Ajo që ra në sy në pritjen e sotme të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ishte mungesa e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Serbia kishte vendosur të përfaqësohej me kryeministren Ana Brnabiç në këtë takim të rëndësishëm të Procesit të Berlinit, ku do të diskutohet procesi i integrimit të Ballkanit.
Kjo pasi, presidenti Vuçiç ka udhëtuar drejt Kinës, ku do të marrë pjesë në forumin e tretë “Brez dhe Rrugë”. Sipas mediave ndërkombëtare, në këtë takim do të jetë i pranishëm dhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Udhëheqësit nga më shumë se 140 vende, duke përfshirë Lindjen e Mesme do të takohen në kryeqytetin kinez në kuadër të nismës që parashikon investime infrastrukturore në vende në zhvillim.
Ndërkaq nga Kina, Vuçiqi ka thënë se do ta mbështes çdo vendim të serbëve në Kosovë.
Duke komentuar pjesëmarrjen e serbëve në veri të Kosovës, ai ka theksuar se edhe më herët ka qenë pro që populli serb të shkojë në zgjedhje në veri.
Por, atëherë, siç ka theksuar ai, e ka përkrahur vendimin e popullit, i cili nuk ka qenë në përputhje me qëndrimin e tij.
“Unë kam qenë për pjesëmarrje në zgjedhje. Serbët në Kosovë nuk kanë qenë dhe pastaj kam dalë dhe kam thënë se e mbështes çdo vendim të tyre. Do t’ju kujtoi se tashmë kam thënë se do të mbështes çdo vendim të serbëve në Kosovë, edhe nëse nuk është në interesin e tyre dhe as në interesin tonë të përgjithshëm. Sepse duhet të jesh me ata njerëz kur është e vështirë dhe kur është e lehtë”, ka deklaruar Vuçiq në Pekin, ku po merr pjesë në samitin “Belt and Road”.


