SHBA-ja ka paralajmëruar se përshkallëzimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit mund të çojë te përfshirja direkte e Iranit në konflikt, raporton “CBS News”.
Këshilltari për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, ka paralajmëruar për mundësinë e krijimit të një fronti të ri në kufirin verior të Izraelit me Libanin.
“Ne nuk mund ta përjashtojmë se Irani do të zgjedhë të përfshihet direkt. Duhet të përgatitemi për çdo mundësi”, ka thënë Sullivan.
Ka pasur shkëmbim zjarri mes grupit militant Hezbollah në jug të Libanit dhe forcave izraelite.
Irani po ashtu ka paralajmëruar se ofensiva tokësore izraelite në Gaza mund ta përshkallëzojë konfliktin në Lindjen e Mesme.
Komentet u bënë gjatë takimit mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Hossein Amirabdollahian dhe emirit të Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al-Thani.
Ndërkohë këshilltari për siguri në Shtëpinë e Bardhë, Sullivan ndërkohë ka folur edhe për situatën në Gaza. Ai ka thënë se nga autoritetet izraelite është informuar se është kthyer uji në jug të Gazës.
Ushtria e Izraelit ka urdhëruar që 1.1 milionë banorë në veri të Gazës të zhvendosen në jug.
Gaza u rrethua tërësisht pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit të shtunën e kaluar.
Në sulmin e militantëve të Hamasit u vranë mbi 1300 persona. Si kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza, ku deri më tash nga bombardimet kanë humbur jetën mbi 2300 persona.
Ushtria izraelite shpalli rrethim të plotë të Gazës dhe ndali furnizimin me ujë, ushqim dhe rrymë në këtë territor.


