Një 10 me yll, kjo është nota që çdo tifoz do të vinte ekipit përfaqësues pas spektaklit që djemtë dhuruan kundër Republikës Çeke.
Është e vështirë për të bërë diferencime pas një mbrëmje të tillë, ku emocionet ishin shumë të forta, por për një gjykim të ftohte dhe të bazuar në statistika mendon faqja e specializuar “Sofa Score”.
Të gjithë mendojnë se lojtari më i vlerësuar do të ishte Seferi apo Asani, fundja golat janë ato që shijojnë më shumë, që kujtohen më gjatë, por sipas Sofa Score, lojtari më i vlerësuar rezulton Etrit Berisha, nota 8,6.

Në këtë klasifikim, Berishën e ndjek Taulant Seferi me notën 8,4. Jo vetëm “dopieta” e realizuar, Seferi ishte i papërmbajtshëm në këtë mbrëmje duke sakrifikuar shumë edhe në fazën mbrojtëse.
Në podiumin e lojtarëve më të vlerësuar nuk mungon Jasir Asani, Arjen Robbeni kuqezi.
Me perlën e tij në minutën e 9-të, Asani i dha besim ekipit, por nuk u ndal me kaq, teksa dhuroi një asist edhe për Seferin, nota 7,5 për Asanin.
Suksesi fantastik përballë Republikës Çeke solli gëzim dhe lot në çdo cep të botës kur flitet shqip. Atmosfera pas sfidës ishte elektrizuese, përfshiu të madh dhe të vogël, pa diskutim u festua gjatë edhe nga protagonistët e këtij suksesi.
Nga presidenti Duka, te trajneri Sylvinho, lojtarët, të gjithë ishin të papërmbajtshëm.
Fillimisht festuan në fushë me tifozët, ndërsa festa nuk mungoi as në dhomat e zhveshjes, ku protagonist ishte dhe kreu i FSHF-ës i cili festoi pafund duke përqafur të gjithë lojtarët.
Për më shumë shihni VIDEO-n në shkrimin më poshtë: