Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Rudi Garcia pas startit të dobët të sezonit nga Napoli, raportojnë mediat italiane.
Napolitanët të cilët ishin një nga skuadrat më të ‘frikshme’ në Evropë nën drejtimin e Luciano Spallettit sezonin e kaluar, aktualisht gjendet në vendin e pestë në tabelën e Serie A pas tetë ndeshjesh, me 14 pikë të grumbulluara.
Napoli i Garcias ka treguar disa shenja pozitive në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Bragën dhe duke pësuar një humbje të ngushtë ndaj Real Madridit, por presioni ka filluar të rritet shpejt mbi trajnerin francez.
Siç ka raportuar eksperti i afatit kalimtar, Gianluca Di Marzio, presidenti i Napolit është takuar sot me Garcian dhe stafin e tij për të diskutuar rreth projektit të klubit.
De Laurentiis është duke e konsideruar seriozisht shkarkimin e 59-vjeçarit në mënyrë që ta gjejë zëvendësuesin e tij gjatë pushimit me kombëtare.
Kujtojmë se Rudi Garcia para se të nis aventurën me Napolin ishte në krye të klubit arab Al-Nassr, por që u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta.