Kompleksi al-Aqsa është një nga vendet më të shenjta në islam e judaizëm. Vendet e shenjta, të njohura për myslimanët si Al Haram Al Sharif (Shenjtorja fisnike) dhe për hebrenjtë si Mali i Tempullit, kanë qenë “fitila” për ndezjen e tensioneve midis Izraelit dhe palestinezëve për dekada, ka shkruar CNN të shtunën në mbrëmje, në ditën kur grupi militant Hamas sulmoi Izraelin.
Në një deklaratë, Hamasi ka thënë se ka lëshuar “stuhinë al-Aqsa” në Izrael – me të cilën pati cak qindra trupa dhe civilë – pjesërisht për ta mbrojtur vendin e shenjtë.
Vetëm myslimanët lejohet të falen në këtë kompleks nën një marrëveshje që daton prej para një shekulli. Vizitorët jomyslimanë lejohet të vizitojnë kompleksin në kohë të caktuara dhe vetëm në disa pjesë të caktuara.
Por shumë nga bota myslimane frikësohen se e drejta për të qenë adhuruesit e vetëm është shkatërruar dhe se vendi i shenjtë po kërcënohet nga lëvizja në rritje e ekstremit të djathtë hebre dhe qeveria e ekstremit të djathtë të Izraelit.
Përleshjet kanë shpërthyer shpesh në këtë vend të shenjtë mes besimtarëve palestinezë dhe forcave izraelite. Policia ka bastisur kompleksin disa herë gjatë vitit të kaluar.
Kompleksi shtrihet në Jerusalemin Lindor, të cilin palestinezët e duan si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm dhe që shumica e komunitetit ndërkombëtar e konsideron si territor të pushtuar. Izraeli e pushtoi atë nga Jordania në luftën gjashtëditore të vitit 1967 dhe e konsideron Jerusalemin Lindor dhe atë Perëndimor, bashkë si “kryeqytetin e përjetshëm”.


