Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mbajti një diskutim me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri (PSC), ku ishin prezent ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve anëtare dhe nga BE-ja.
Sipas njoftimit nga Qeveria, në këtë bashkëbisedim Bislimi prezantoi perspektivën evropiane të Kosovës, përkushtimin e angazhimin në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.
Ai ritheksoi se Kosova mirëpret iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga Presidentja e Komisionit, Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030.
“Viti i kaluar ishte vit evropian për vendin ku u arrit liberalizimi i vizave dhe u aplikua për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për anëtarësim në BE. Ndërthurur me rritjen që njohu vendi në zhvillim ekonomik, e suksesin e faktuar në rankime ndërkombëtare në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, u dëshmua vullneti dhe angazhimi i Republikës së Kosovës në avancimin e agjendës evropiane.Vendi ynë dëshmoi se po performon pozitivisht në indikatorë të ndryshëm përtej barrierave e pengesave me të cilat vendi ynë është përballur”, ka thënë Bislimi.
Në lidhje me situatën aktuale, zëvendëskryeministri Bislimi tha se me 24 shtator Serbia orkestroi akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, ku u vra Rreshteri i Policisë, tashmë Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë janë të shumta, nga prezenca e organizimi i agresionit nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit edhe mbi procesin e dialogut e takimin e fundit të nivelit të lartë mbajtur me 14 shtator.

