Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka dhënë informata se kur do t’i marrin policët shtesat për rrezikshmëri.
I pyetur në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Murati, ka thënë se “shumë shpejt do të sigurohen që çdo gjë të vihet në vend të vetë siç e parasheh Ligji i pagave”.
“Kjo ka të bëjë me Ligjin e pagave në tërësi. Ishte proces më kompleks, bëhet fjalë për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Ka shumë kategori tjera që po trajtohen në vijimësi, qoftë nga Ministria e Brendshme ashtu edhe ajo e Financave. Në një masë të madhe e kemi marrë përsipër zbatimin e këtij Ligji. Jemi në proces të dakordimit e të definimit të gjitha shtesave, e po ashtu të kompetencave e përgjegjësive që parashihen. Shumë shpejt do të kemi përafrim të këtyre kërkesave apo gjërave, që të sigurohemi se çdo gjë vihet në vendin e vetë siç e parasheh Ligji”, tha Murati.
Ai ka shtuar se dëshiron të sigurojë qytetarët “që shteti do të jetë çdoherë pranë atyre që shërbejnë shtetin”.


