Janë liruar nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ryshfet, 36 mjekët e akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 2”.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas trupit gjykues, 36 mjekët janë liruar sepse nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që u viheshin në barrë.
Në këtë rast, fillimisht ishin të përfshirë 45 mjekë, por më pas procedura ishte veçuar për disa prej tyre, e dy kanë vdekur. Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar. Agani dhe Shabani, janë liruar po ashtu nga akuza.
Mjekët akuzoheshin se nga 1 janari i 2011-s e deri më 31 dhjetor të vitit 2015, “i kanë referuar në dy spitale private pacientët e QKUK-së pa pasur nevojë për trajtime shtesë, duke shpërdoruar detyrën zyrtare të mjekut dhe duke marrë nga spitalet private 500 euro ryshfet për çdo stentë të vendosur te pacientët, e nga 150 euro për secilën koronarografi”.
Prokuroria Speciale pretendonte se dëmi ishte mbi 4.5 milionë euro, ndërsa vlera më vonë ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare në 11 mijë e 430 euro.


