Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njofton opinionin publik se nuk do të marrë pjesë në seancën e radhës të Kuvendit Komunal, të ftuar për të hënën, 4 shtator.
Në një njoftim për media thuhet se për Vetëvendosjen është e kontestueshme zgjedhja e Kryesuesit të ri dhe rrjedhimisht e kontestojnë edhe ftesën për këtë seancë që vjen nga një autoritet për legjitimitetin e të cilit do të vendosin organet e drejtësisë.
“Duke ditur faktin se tashmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është inicuar një konflikt administrativ në mes të MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës, ndër të tjera edhe për çështjen e Kryesuesit, vlerësojmë se thirrja dhe organizimi i kësaj mbledhje në këtë kohë është i panevojshëm dhe tendencioz”, thuhet nga Vetëvendosje.
Sipas këtij subjekti politik, në një situatë të tillë, me paqartësi juridike, të gjitha vendimet eventuale që merren në këto seanca të parregullta do të jenë objekt i trajtimit të sërishëm nga Kuvendi Komunal.
“Ndërkohë, të gjitha pasojat juridike që prodhojnë vendimet e tilla do të jenë bazë e mjaftueshme për ndjekje e kallëzime penale.
Kërkojmë nga partitë në pushtet në Komunën e Prishtinës, koalicioni LDK-PDK-NISMA-LB, të përmbahen nga çfarëdo vendimi e veprimi në këtë fazë dhe gjithashtu kërkojmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që sa më parë, me prioritet, ta trajtoj çështjen në fjalë.
Kthimi i ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës është emergjencë dhe domosdoshmëri”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.



