Partia Guxo në një komunikatë dërguar mediave ka dënuar siç kanë thënë “kërcënimet me vrasje që ditëve të fundit po i bëhen Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti”.
Sipas tyre ato me ritëm të përshpejtuar po përkeqësojnë situatën e sigurisë, siç thuhet, “duke kërcënuar edhe jetën e bartësve të funksioneve më të larta shtetërore”.
“Partia GUXO dënon ashpër kërcënimet me vrasje që ditëve të fundit po i bëhen Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Kërcënimet në varg, që i bëhen z. Kurti, nga eksponentë të, ashtuquajtur, të krahut “radikal”, që mbrojnë “vlerat e luftës”, në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar e të Kosovës, nga injorantë e trushplarë, janë veprime të cilave duhet prerë rrënjët menjëherë nga organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush nuk ka tagrin që të ndajë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë dhe të lëshojë ‘fetva’ për dënimin me vrasje të ‘tradhtarëve të atdheut’”, thuhet në komunikatën e tyre.
Sipas tyre kjo nuk po ndodh rastësisht. “Koincidenca, kur këto kërcënime bëhen, bashkë me shpalljen e Kurtit si bashkëpunëtor dhe argat i Serbisë nga ndonjë lider partiak dhe nga eksponentë të rëndësishëm politikë e medialë, si dhe deklaratat e krerëve të Serbisë se Kurti rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon me luftëra të reja dhe se ai gjoja të vetmin qëllim ka spastrimin e serbëve nga Kosova përmes dhunës dhe kërcënimeve, nuk mund të konsiderohen si të rastësishme dhe të injorohen”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre “vrasjeve politike gjithnjë u kanë paraprirë vrasjet dhe linçimet publike”.
“Kontaminimi i tillë i opinionit publik krijon terren të përshtatshëm që këto kërcënime të bëhen realitet dhe pastaj të fillojë loja ping pong se krimin e bëri Serbia apo krimin e bënë shqiptarët në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar. Eliminimet fizike të kundërshtarëve politikë kanë funksionuar dhe për këtë jemi dëshmitarë. Për fat të keq, deri tash, nuk është zbardhë asnjëra nga to”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre organizatat e dala nga lufta dhe partitë politike duhet që urgjentisht “të distancohen nga gjuha kërcënuese e eksponentëve dhe militantëve të vet”.
“Është fat i keq që injorantë të nivelit të z.Klinaku, Gashi e të ngjashëm të dalin si gardianë të mbrojtjes së vlerave sublime kombëtare dhe atyre të luftës. Shkalla e tillë e injorancës na tmerron. Kërcënimet me vrasje nuk mund të tolerohen në emër të lirisë së fjalës dhe të shprehjes së lirë të mendimit. Ato duhet të dënohen dhe të marrin dënimet shembullore me forcën e ligjit. Po ashtu, Partia GUXO e vlerëson si të pajustifikueshme që media të caktuara u japin hapësirë mediatike individëve të tillë me prirje kriminale që mu në mes të emisioneve me shikueshmërinë më të madhe, të kërcënojnë me vrasje Kryeministrin e Republikës”, thuhet në komunikatë.


