Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca si dhe kabineti qeveritar kanë bërë sot nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Presidentja Osmani, tha se shteti serb nuk po e zbaton marrëveshjen e arritur në Bruksel për hapje të arkivave.
Mes tjerash, Osmani ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta shtojë trysninë ndaj Serbisë që t’i dorëzojë të zhdukurit me dhunë.
“Të zhdukurit me dhunë janë plaga dhe dhimbja më e madhe e vendit tonë. Në fillim të këtij viti u arrit një marrëveshje në Bruksel për t’i hapur Serbia arkivat për të zhdukurit, dhe përkundër kërkesën sonë që të bëhet në fillim të qershorit një kërkesë në drejtim të presidentit Vuçiq, fatkeqësisht Serbia vazhdon ta shkelë marrëveshjen”, u shpreh Osmani.
Ajo tha se është për keqëardhje fakti se në krye të Serbisë edhe pas 25 vjetësh janë po ata persona që i shkaktuan zhdukjen me dhunë të më të dashurve tanë.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe miqve aleatë që të mendojnë për prindërit dhe familjarët që ende të zhdukurit i kanë në varrezat masive të Serbisë. Të mendojnë për nënën që e ka varrin e zbrazët, të mendojnë për fëmijët që ende nuk e dinë ku e kanë babain, që Serbia t’i dorëzojë të pagjeturit… Shpresojmë që dialogu në Bruksel të mos jetë tutje një proces ku i bëhet trusni Kosovës dhe padrejtësi popullit të saj, ndërsa që Serbia e fytyra e Vuçiqit që ende vazhdon të flejë mbi varreza masive të shpërlahet padrejtësisht”, është shprehur Osmani.
Më shumë se dy dekada pas luftës, mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të pagjetur – shumica shqiptarë.



