Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë deklaroi se autoritetet duhet të zbatojnë ligjin në raport me shkaktarët e zjarrit dhe duhet t’i dënojnë.
Ai deklaroi të martën se gjatë verës, deri në këtë periudhë të gushtit janë kryer 120 intervenime në zjarre fushore dhe malore, derisa theksoi se problematike është djegia e qëllimshme e amulloreve.
“Kjo po përsëritet gati çdo vit. 120 intervenime në lloje të zjarreve janë kryer deri në gusht, në amullore në bari të thatë dhe male. Është një numër shumë i madh që po ballafaqohemi e po na shkaktojnë shumë telashe. Kryesisht në Fushë-Kosovë dhe në fshatra, në Prishtinë, në Barilevë. Po kemi vështirësi edhe në personel dhe mirëmbajtje teknike të automjeteve për të qenë ato mirë në intervenim. Zjarrvënia është edhe vepër penale që mund të dënohet pasi shkakton rrezik të përgjithshëm. Pos asaj, ne si personel që e kemi shumë të vogël, duhet ta angazhojmë personelin në zjarre fushore, e mund të ndodhë ndonjë incident më i madh në objekte me rëndësi. Zakonisht zjarret po janë të qëllimshme”, u shpreh Gashi.
Sipas tij, qytetarët duhet të vetëdijesohen që të mos shkaktojnë zjarre që mund të jenë të dëmshme, derisa theksoi se nëse kjo nuk ndalohet, ligji duhet të veprojë.
“Vetëdijësimi është shkalla më e mirë, por edhe thirrjet që të mos ndezën amulloret nuk po funksionojnë. Nëse s’po kryen punë vetëdijesimi, të respektohet ligji. Në zjarre fushore ka rrezik permanent pasi edhe erërat mund të ndryshojnë (situatën). Dëmi më i vogël në këtë rast është te organet e frymëmarrjes së zjarrfikësve. Ju kisha bërë apel që të mos ndizen këto fusha, më mirë t’i pastrojmë, por jo t’i ndezim. Ndezja s’e bën pastrimin. Ka mirëmbajtje të ndryshme që bëjnë pastrimin e fushave pa djegie”, tha në KTV, Gashi.
Tutje, Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve ka shtuar se për zjarrfikësit vazhdon të jetë problematike numri i personelit dhe vjetërsia e automjeteve.
“Personeli është shumë i vogël…66 zjarrfikës i mungojnë Prishtinës”, u shpreh ai.



