Është themeluar Bordi i ri për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike në përbërje prej pesë anëtarësh, me vendimin e së mërkurës, të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Milazim Gjocaj nga Ministria e Shëndetësisë do të jetë kryesues i Bordit, ndërsa Lulzim Uka e Hyra Bashota nga kjo ministri do të jenë anëtarë. Anëtarë janë zgjedhur edhe Shefkije Shatri e Xhevdet Latifi nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Në mes të majit, pati dhenë dorëheqje bordi i mëhershëm. Siç ishte bërë e ditur, dorëheqja ishte dorëzuar pasi Bordi ishte ankuar në drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për presion. Vetë drejtori, Fatmir Plakiqi, pati mohuar problemet. Megjithatë, dorëheqja s’ishte pranuar nga ministri Rifat Latifi.
Ky bord ka për detyrë miratimin e pagesave për trajtim jashtë vendit dhe jashtë institucioneve shëndetësore publike.