Pjesët juglindore të Norvegjisë janë përmbytur pas disa ditësh me shi. Autoritetet norvegjeze kanë deklaruar se këto janë përmbytjet më të mëdha në vitet e fundit. Dëmet vlerësohen se kapin vlerën e 100 milionë eurove.
Përmbytjet kanë detyruar banorët që të evakuohen në juglindje të Norvegjisë, teksa kanë vazhduar paralajmërimet për përmbytje të reja dhe rrëshqitje të dheut.
Disa lumenj kanë dalë nga shtrati pas shiut që ka rënë për disa ditë rresht. Lumi Begna, që rrjedh në qytetin Honefossen, ka dalë nga shtrati dhe ka nxitur rrëshqitje të dheut.
200 banorë janë evakuuar me autobus në një hotel në periferi të qytetit. Autoritetet norvegjeze nuk kanë ofruar shifra të sakta për të evakuuarit, mirëpo mediat kanë raportuar se së paku 4 mijë njerëz janë larguar drejt zonave të larta dhe të sigurta.
Banorët që jetojnë afër shtratit të lumit janë evakuuar dhe kanë marrë gjësendet e tyre.
“Para disa ditësh kishte rrëshqitje të dheut. Gjatë natës kam dëgjuar pemët dhe gjësende që shembeshin. Ishte shqetësuese dhe nuk më zuri gjumi”, tha banori Fredrik Eriksen.
Dëmet fillestare vlerësohet se kanë arritur në 100 milionë euro, kanë njoftuar autoritetet.
“Tani po kujdesemi për të evakuuarit. I kemi vendosur në një hotel dhe ofrojmë sqarime me qëllim që të qetësohen. Është e rëndësishme për ne që të kujdesemi për pronat, mirëpo jeta dhe shëndeti në rend të parë. Për këtë po punojmë më shumë”, theksoi udhëheqësi i Honefoss Tore Isaksen.
Ani pse shiu është ndalur, autoritetet kanë paralajmëruar për përmbytje deri të shtunën.
Rrugët kryesore të qytetit Honefossen dhe linjat e trenave janë mbyllur për ditët në vazhdim.
Përmbytjet katastrofike, më të rëndat në vitet e fundit në Norvegji, janë nxitur pas disa ditësh me shi veror.


