Në orët e hershme të së premtes Policia e Kosovës është gjuajtur me armë zjarri nga një grup personash që tentonin të kontrabandonin mallra në Zubin Potok.
Në një njoftim që ka lëshuar tani Policia e Kosovës, sqaron se në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës, ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren.
Si rezultat i aktiviteteve policore në brezin kufitar, sot në mëngjesin e hershëm, rreth orës 03:20, bazuar edhe në informata që ka poseduar policia, ka reaguar në fshatin Kovaç (Farkëtarët), zona e përgjegjësisë e Stacionit Policor Kufitar-Jasenovik.
“Në këtë rast janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kontrabandë me mallra dhe sulëm ndaj personit zyrtar, ndërsa një person i dyshuar ka arritur të shmanget arrestimit dhe është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se për vënë situatën nën kontroll, për të evituar sulmin e mëtejmë dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj zyrtarëve policorë, janë përdorur pajisjet zyrtare konkretisht armët e zjarrit nga zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast.
Policia e Kosovës njofton se në këtë operacion, janë sekuestruar katër vetura të cilat kanë qenë të përfshira në rastin konkret, ku një njërën prej tyre është hasur një sasi e cigareve të cilat dyshohet se ishin duke u kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Serbia.
“Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante. Rasti është duke u trajtuar nga hetuesit e Drejtorisë Rajonale Veriu, në koordinim me organet tjera kompetente”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.




