Teksa janë regjistruar 53 viktima, zjarri i Maui të Havait duket të jetë një nga më vdekjeprurësit në historinë moderne të ShBA.
Guvernatori Josh Green ka thënë se zjarret e kanë shkrumbuar qytezën Lahaina, duke i lënë mijëra persona pa strehë mbi kokë.
Si pasojë e kësaj katastrofe, që po konsiderohet më e keqja në historinë e vendit, besohet se janë rrafshuar 1.000 ndërtesa.
“Do të duhen shumë vjet për ta rindërtuar Lahainan”, ka thënë Green në një konferencë për media, teksa zyrtarët kanë nisur të planifikojnë si t’i strehojnë personat që u janë djegur shtëpitë.
Lahaina është destinacion i famshëm dhe vizitohet nga 2 milionë turistë në vit.
Havai është duke u përballur me zjarre pyjore prej të martës, të nxitura nga erërat e fuqishme dhe thatësia e madhe.
Autoritetet kanë nisur të ndajnë ndihma për të prekurit nga zjarret, ndërsa autoritetet amerikane në Kaliforni dhe Uashington i kanë nisur ekipet e tyre në Havai, për t’i rritur përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Sipas analizës së CNN të të dhënave të disponueshme, zjarri në Maui tashmë renditet si zjarri i dytë më vdekjeprurës në 100 vitet e fundit, pas zjarrit të Camp Fire në Kaliforni, i cili mbyti 85 njerëz në nëntor 2018, sipas CalFire.
Duke krahasuar të dhënat nga CalFire dhe databaza ndërkombëtare e fatkeqësive EM-DAT, CNN zbuloi se pesë zjarret më vdekjeprurëse në SHBA të shekullit të kaluar përfshijnë:
Camp Fire – Paradise, Kaliforni, nëntor 2018: 85 të vdekur
Zjarri Lahaina – Maui, Havai, gusht 2023: të paktën 36 të vdekur
Zjarri në Griffith Park – Los Anxhelos, Kaliforni, tetor 1933: 29 të vdekur
Zjarri në tunel – Oakland Hills, Kaliforni, tetor 1991: 25 të vdekur
Tubbs Fire – Napa dhe Sonoma, Kaliforni, tetor 2017: 22 të vdekur.




