KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » ZPS kërkon vazhdimin e paraburgimit ndaj Kadri Veselit, thotë se ekziston rreziku i arratisjes dhe pengimit të procedurave
Siguri

ZPS kërkon vazhdimin e paraburgimit ndaj Kadri Veselit, thotë se ekziston rreziku i arratisjes dhe pengimit të procedurave

Kosova News
Kosova News 18:00 -12/07/2022
Shpërndaje
Shpërndaje

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, Kadri Veselit, i  cili po akuzohet për krime lufte.

Sipas shkresës së kësaj prokurorie, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se Veseli ka kryer krime brenda juridiksionit lëndor të Dhomave të Specializuara për qëllime të nenit 41 (6) (a) dhe (10) të Ligjit.

“Apeli më i fundit për Mbrojtjen e Veselit nuk e kundërshtoi këtë konstatim. As nuk ka ndonjë ndryshim në rrethana për të garantuar një përcaktim të ri për ekzistimin e një dyshimi të bazuar. Përfundimi i gjyqtarit të procedurës paraprake vazhdon të jetë i qëndrueshëm”, thuhet në shkresën e ZPS-së.

Sipas ZPS-së, vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes.

- Reklamë -

“Rritja e provave që i janë zbuluar Veselit, në lidhje me mundësinë e një dënimi të rëndë në rast të një dënimi, mund të ofrojnë nxitjen e nevojshme për Veselin që të marrë fonde dhe mjete për të udhëtuar dhe përfundimisht t’i shmanget procedurave të Dhomave të Specializuara. Se Veseli do të kishte mjetet për ta bërë këtë, mbështetet, ndër të tjera, nga ndikimi i tij i vazhdueshëm në Kosovë, i konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe i vërtetuar më parë nga Kolegji i Apelit, duke përfshirë edhe për shkak të pozitave të tij të mëparshme në lidhje me inteligjencën”, ka pretenduar prokuroria.

Prokuroria në vijim pretendon se ekziston rreziku i pengesës së progresit të procedurave të Dhomave të Specializuara.

Sipas tyre, ekziston rreziku real që Veseli të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara nëse lirohet.

“Kjo bazohet, ndër të tjera në një vlerësim të kombinuar të klimës së vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vullnetit dhe aftësisë së demonstruar të Veselit për të ndërhyrë në çështje të tilla, dhe ndërgjegjësimit të tij të shtuar për provat themelore”, thuhet nga prokuroria.

Tutje, thuhet se rreziku i pengimit nuk duhet të materializohet me anë të manipulimit personal të provave ose ushtrimit të ndikimit ose presionit mbi dëshmitarët nga një i akuzuar. ZPS thotë se mjafton që Veseli të nxisë të tjerët ose të kontribuojë në materializimin e atij rreziku.

Sipas prokurorisë, statusi publik dhe pozicionet me ndikim të Veselit i japin atij akses në informacione konfidenciale ose të ndjeshme dhe e lejojnë atë të mobilizojë një rrjet mbështetësish për të penguar përparimin e hetimeve të ZPS-së dhe zhvillimin e procedimeve penale.

“Veseli është themelues i UÇK-së dhe Shtabit të Përgjithshëm. Ai është ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është një nga zyrtarët më me përvojë të inteligjencës në Kosovë, shefi i mëparshëm i shërbimeve inteligjente të UÇK-së dhe i Shërbimit Informativ të Kosovës (‘SHIK’). Kolegji i Apelit ka vërtetuar konstatimin e gjyqtarit të procedurës paraprake se ndikimi i Veselit rrjedh nga njohuritë, aftësitë dhe kontaktet që ai ka fituar në pozitat e tij të mëparshme lidhur me inteligjencën”, thuhet tutje.

ZPS thotë se ka shumë tregues të aftësisë së Veselit për të penguar drejtësinë.

“Anëtarët e SHIK-ut përgjegjës ndaj tij ishin të përfshirë në vëzhgimin, kërcënimin dhe ryshfetin e dëshmitarëve që dëshmonin kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në TPNJ. Veseli gjithashtu ka një aftësi të demonstruar për të dhënë udhëzime për ata që ishin të përfshirë në ndërhyrje të mundshme kundër dëshmitarëve të ZPS-së”, thuhet tutje.

Prokuroria pretendon se rreziku i pengimit mbetet i lartë, pasi Veseli ka siguruar qasje në materialet dëshmuese inkriminuese, si dhe në identitetin e dëshmitarëve me masa mbrojtëse në gjykatë dhe sipas tyre vetëm masat mbrojtëse janë të pamjaftueshme paraprake kundër rrezikut në thelb të lartë të frikësimit ose ndërhyrjes së dëshmitarëve.

“Në vlerësimin e rrezikut të kryerjes së krimeve të mëtejshme, mjafton që i Akuzuari të nxisë ose të ndihmojë të tjerët për të kryer krime të tilla, ose të kontribuojë në ndonjë mënyrë tjetër në kryerjen e tyre. Faktorët që lidhen me rreziqet e ikjes dhe pengimit gjithashtu kontribuojnë në rrezikun e krimeve të mëtejshme në rastin e Veselit. Ky rrezik duhet gjithashtu të merret parasysh në dritën e: (i) një klime të mirë-krijuar dhe të vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve; (ii) rritjen e ndërgjegjësimit për provat inkriminuese që i akuzuari ka; dhe (iii) pozitat e rëndësishme me ndikim që i Akuzuari ende mban në Kosovë. Duke marrë parasysh shembujt e mëparshëm të gatishmërisë dhe aftësisë së Veselit për të ndërhyrë në procedurat gjyqësore ky rrezik mbetet i lartë”, thotë prokuroria.

Sipas prokurorisë, asnjë kusht i lirimit në Kosovë nuk mund të zbusë rreziqet e veçanta në fjalë.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues, raporton betimiperdrejtesi.

Gjithashtu lexoni:

Theren me thikë dy persona në Prizren, policia jep detajet e fundit

FSK-ja merr pjesë në konferencën e NATO-s në Gjermani

Hoxha pret ambasadorin hungarez, diskutohen çështjet e sigurisë

11 të arrestuar për bixhoz të kundërligjshëm në Pozheran të Vitisë

MPB demanton Daut Haradinajn: Dy serbët u regjistruan më 2001 dhe 2007, dokumentet e Kosovës i morën në 2011 dhe 2015

Kosova News 12/07/2022 12/07/2022
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
13°C
Pristina
clear sky
14° _ 13°
89%
1 km/h
Fri
24 °C
Sat
23 °C
Sun
25 °C
Mon
26 °C
Tue
24 °C

Lajmet e Fundit

Vetëvendosje mban tubim në Mitrovicë, Kurti premton investime të shumta në tërë Kosovën
22:44 -04/06/2026
Haxhiu në mbështetje të dr. Metë Shatrit: Studentët dhe rinia mbeten prioritet i qeverisjes sonë
22:36 -04/06/2026
UP-ja nënshkruan memorandum mirëkuptimi me CIHEAM Montpellier dhe CIHEAM Zaragosa
21:16 -04/06/2026
Merz dhe Macron, me plan të ri për afrimin e Ballkanit drejt BE-së
21:03 -04/06/2026
Dr. Metë Shatri synon të çojë zërin e profesionistëve në Kuvend
20:19 -04/06/2026
Follow US
IMPRESSUM:

KOSOVA NEWS - portal i pavarur informues e hulumtues

BOTUES: KosovaNews sh.p.k. (NUI: 811928152)

Drejtor e kryeredaktor: Jeton Sopa. Gazetare: Beslinda Rexhepi.

Tel: 038 600 149, WA: +38346100004.

E: [email protected]

ADRESA: Rr. Rexhep Mala nr. 18/1 ° Prishtinë, 10060 ° RKS

MARKETING & PARAPAGIM:

Banner ° Reklamë ° Video produkcion

Parapagim: Pako 1 ° Pako 2

Shkruani në: [email protected]

LLOGARITË BANKARE:

1. TEB Bank Sh.A. (Kosovë)

Acc: Kosovanews shpk

No: 2011 0002 1188 9556

2. PaySera (EU, SEPA)

Acc: Kosovanews

No: LT273500010018388807

SWIFT: EVIULT2VXXX

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?