Bashkimi Evropian në raportin për të drejtat e njeriut ka thënë se situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket gjykimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes, përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medias.
Raporti thekson se dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e postblloqeve pasuese ndikuan negativisht në siguri, ku ndër të tjera thuhet se sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet shumë të reduktuar.
“Në vitin 2022, Kosova gëzonte stabilitet politik, ku qeveria kishte një shumicë solide në Kuvend. Ky mjedis politik ka qenë i favorshëm që Kosova të shtojë përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Megjithatë, puna e Kuvendit vazhdoi të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe mungesa e kuorumit vendimmarrës”, thuhet në raport.
Raporti përmend edhe angazhimin në dialog. Thuhet se BE-ja vazhdon të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ka pasur kriza të përsëritura në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022 dhe situata në terren mbetet e brishtë. Megjithatë, në vitin 2022, palët miratuan një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, ranë dakord për udhëtimin vetëm me karta identiteti dhe arritën një marrëveshje që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme për targat për të lejuar që dialogu të fokusohet në propozimin e fundit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet tutje në raport.
Raporti thekson gjithashtu se procesi zgjedhor i Kosovës ka ende nevojë për fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë ciklit zgjedhor, siç thotë se janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, dhe më së fundi nga Misioni përcjellës i zgjedhjeve të BE-së, i vendosur në Kosovë në nëntor të vitit 2022.
Raporti vë në fokus se Kosova duhet të punojë më shumë për të zbatuar ligjet për të drejtat themelore të njeriut.
Në raportin për të drejtat e njeriut të publikuar nga BE-ja, thuhet se kuadri ligjor të cilin e posedon Kosova garanton mbrojtjen e të drejtave themelore dhe është në përputhje me standardet evropiane.
“Kapaciteti i qeverisë për të përmirësuar dhe mbikëqyrur politikat dhe legjislacionin për të drejtat themelore kërkon përmirësim, duke përfshirë koordinimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe komuniteteve joshumicë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Çështjet e të drejtave themelore duhet të shfaqen më lart në agjendën politike. Burimet njerëzore dhe financiare mbeten të munguara dhe autoritetet përkatëse janë ende të varura nga mbështetja e donatorëve dhe duhet të marrin pronësi më të madhe. Ndërgjegjësimi i publikut për të drejtat e personave LGBTI mbetet i ulët. Duhet bërë më shumë për të garantuar barazinë gjinore dhe mbrojtjen e fëmijëve në praktikë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e personave që u përkasin pakicave, duke përfshirë romët, ashkalitë dhe egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat e zhvendosur”, thuhet në raport.


