Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi, ka deklaruar se institucioni që ai udhëheq është shënjestër e sulmeve nga grupe të caktuara, që siç tha ai, kanë nisur qëkur ai ka gjetur keqpërdorime brenda AAC-së dhe i ka lajmëruar.
Në një reagim të gjatë në Facebook, Ejupi ka renditur punët që janë kryer gjatë punës së tij, duke përmendur hapjen e linjës ajrore me Shqipërinë, qasjen e Kosovës në sistemin evropian EGNOS, trajtimin me seriozitet të rasteve së sigurisë së aviacionit dhe raportimet për shkelje të ligjit.
Ejupi ka thënë se ka raportuar në Polici manipulimin apo falsifikimin e licencave të kontrollorëve të trafikut nga zyrtarë të AAC-së.
“8)AAC ka anuluar kontratën e qirasë së AAC-së dhe ka kaluar në objekt shtetëror, duke kursyer buxhetin shtetëror në vlerë të mbi 40 mijë euro në vjet. 9) AAC ka raportuar në prokurori rastet e keqpërdorimit të dhjetëra mijëra euro, pagesa që sipas kontratës i takonin qiradhënësit dhe që janë paguar nga AAC. 10) AAC ka inkurajuar respektimin dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, siç përcaktohen me Ligjin nr. 03/L-212 të punës dhe kontratës. Gjithashtu, personeli është inkurajuar që orarin e punës në këtë institucion shtetëror ta përdorin për punët dhe përgjegjësitë që derivojnë nga kontratat me AAC, dhe jo për punë të dyta apo të treta. 11) AAC-ja ka ndaluar dhe ka raportuar në prokurori rastet e pagesave të larta pa bazë ligjore si dhe pa kualifikimet e nevojshme”, ka shkruar tutje Ejupi.
Ai ka përmendur se reagimet negative ndaj kërkesës së tij për ligjshmëri shfaqin nivelin e ndikimit dhe rezistencën për t’u përballur me përpjekjet për transparencë.
“Si drejtor i AAC, më vjen keq që duhet të përballem me sulmet, presionet dhe shantazhet e përditshme”, thuhet nga ai.
Në disa raste, Sindikata e Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) ka reaguar se Ejupi i ka përndjekur dhe shantazhuar anëtarët e saj.


