Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e Klan Kosova lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit së televizionit. Për këtë vendim kanë reaguar diplomat e përfaqësues organizatash të gazetarëve, si dhe lider të partive politike opozitare.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur brengën lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur Klan Kosovën. “Shumë shqetësuese. Mbyllja e një prej medieve më të mëdha në Kosovës do të ishte një goditje e rëndë për lirinë e medieve”, ka thekuar Rohde.
Qendra Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias ka reaguar ndaj vendimit të MINT-it për të refuzuar ankesën e Klan Kosovës në ARBK në lidhje me certifikatën e biznesit.
Vendimi i sotëm, sipas kësaj organizate, është “i paprecedent” në historinë e re të Kosovës. Aty i bëhet thirrje Klan Kosovës që të luftojë kundër vendimit para gjykatave kompetente.
“Kjo është e paprecedentë në historinë e re të Kosovës dhe rrezikon seriozisht pluralizmin, lirinë e mediave dhe dërgon një mesazh të qartë për mediat tjera. I bëjmë thirrje Klan Kosovës që të luftojë kundër vendimit para gjykatave kombëtare”, thuhet në reagimin e kësaj organizate në Twitter.
Organizata në fjalë thotë se është e tmerruar me vendimin e MINT-it.
“Jemi të tmerruar që mësuam se Ministria e Tregtisë në Kosovë ka përfunduar sot të gjithë hapat e nevojshëm për mbylljen e medias më të madhe private në vend, Klan Kosova”, ka thënë Qendra Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias në një reagim në Twitter.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, vendimin e sotëm të MINT-it për të refuzuar ankesën e Klan Kosovës në ARBK, e ka quajtur “ditë të zezë të censurës shtetërore”.
“Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën”, thotë Gutierrez në një postim në Tëitter.
“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në iliberalizmin më konservator, me përçmimin më të madh të vlerave të BE-së”, tha Gutierrez.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të ARBK-së për refuzimin e ankesës së pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
Krasniqi tha se vendimi i qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës.
“Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë. Mos e mbyllni Klan Kosovën. Diktatura nuk kalon”, tha Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë.
“Është sulm i paranojës propagandistike ndaj vet demokracisë. Ky pushtet do krizë. Ky pushtet do frikë. Në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka ftuar organet e drejtësisë që ta bëjnë punën e vet dhe ta mbrojnë demokracinë.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të MINT-it për refuzimin e ankesës së pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës. Ai ka theksuar se nuk mbyllen mediat në një vend evropian, teksa shtoi se “nuk jemi Kore e Veriut”.
“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet! Dil kërkoju falje popullit e gazetarëve të Klan Kosovës e ruaje pak fytyrë”, ka theksuar Haradinaj.
Kundër këtij vendimi kanë dal edhe gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.


