Me miratimin në lexim të dytë në Kuvend të Kosovës është mundësuar rritja e pagës minimale nga 130 euro e 170 euro, në 264 euro bruto për të gjithë.
Kështu për punëtorët nën 35 vjeç rritja e pagës minimale është bërë 103%, ndërsa për punëtorët deri në 65 vjeç 55%.
Por, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka shprehur pakënaqësi me rritjen e pagës minimale në Kosovë.
Ai madje ka evidentuar siç ka thënë katër problemet e pagës minimale, që u miratua javën e kaluar me ligj.
Hoti që një kohë mbajti edhe postin e kryeministrit dhe paga minimale gjatë mandatit të tij nuk kishte lëvizur, thotë se me ngritjen e tashme nuk është përfillur procedura ligjore për caktimin e pagës minimale, pasi nuk ka pasur dakordim mes partnerëve socialë (qeverisë, bizneseve dhe sindikatave).
Sipas tij, nuk është përfillur as formula për caktimin e pagës minimale, e cila formulë bazohet në koston e jetesës.
“Janë shkelur dy konventa të Organizatës Botërore të Punës lidhur me hapat që duhet ndjekur për caktimin e pagës minimale, si dhe niveli prej 250 euro i pagës minimale është caktuar vitin e kaluar, para inflacionit që përjetuam, dhe sot nuk vlen ai vlerësim pasi janë rritur dukshëm çmimet e mallrave elementare”, ka shkruar Hoti.



