Ish-kryetari i Skenderajt dhe një prej figurave kryesore të PDK-së, Sami Lushtaku, e ka ftuar avokatin Besnik Berisha që t’i bashkohet PDK-së, meqë sipas Lushtakut ai s’është për LDK.
Lushtaku ka thënë se e ka dëgjuar me vëmendje intervistën e Berishës pas lirimit dhe e ka ftuar që t’i bashkohet PDK-së, meqë sipas Lushtakut me një qasje të tillë ai s’është për LDK.
Sot në një konferencë të thirrur nga avokati Besnik Berisha, gazetarët e pyetën edhe për këtë ftesë të Lushtakut, por ai tha se partia e tij mbetet LDK-ja.
Sido qoftë, Berisha dha fjalë fort të mira për Lushtaku.
“Lushtaku është figurë e nderuar, i respektuar për mua… Partia ime është LDK-ja, unë kam kryer shërbime si këshilltar i kryeministrit e vazhdoj të kryej, jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në LDK, kam pas oferta edhe të kryetarit aktual për t’u bashkëngjitë edhe njëherë partisë, për shkak se unë jam i martuar me profesionin e avokatit se e dua pafundësisht. Partia mbetet LDK-ja, profesioni im mbetet avokati”, u përgjigj Berisha.
Më 13 korrik, avokati Besnik Berisha ishte arrestuar nën dyshimet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.
Kurse Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës, përmes një reagimi, ka shprehur indinjatën e thellë ndaj gjuhës të përdorur nga avokati Besnik Berisha ndaj prokurorit Rasim Maloku, në një intervistë dhënë në media.
Në reagimin thuhet se, Shoqata e Prokurorëve dënon fuqishëm gjuhën e përdorur nga avokati Berisha dhe thekson se format e tilla të përdorimit të gjuhës nënçmuese dhe ofenduese janë të papranueshme dhe të drejtuara jo vetëm ndaj dëmtimit të integritetit të prokurorit Maloku, por edhe ndaj autoritetit tërësor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.


