Në 13 raste të ndryshme kanë ndërhyrë ekipet emergjente në kryeqytet, ka njoftuar Komuna e Prishtinës në mbrëmje pas stuhisë që goditi vendin të shtunën.
Siç thuhet në komunikatën për media nga Komuna e Prishtinës, në terren kanë intervenuar ekipet e drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Shërbimeve Publike në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe punëtorët e “Hortikulturës” dhe Policinë.
Ndërhyrjet kanë qenë kryesisht në pastrimin e rrugëve nga degët dhe pemët e rrëzuara, largimin e kulmeve të dëmtuara dhe largimin e ujit nga oborret e shtëpive të disa qytetarëve.
“Do të qëndrojmë pranë qytetarëve për t’u ndihmuar aty ku kanë nevojë. Jemi duke punuar intensivisht që të pastrojmë gjithë zonat e prekura nga shiu i rrëmbyeshëm që ra gjatë ditës”, ka deklaruar Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë.
080012233 dhe 080012244 janë numrat që komuna ka thënë se duhet të thirren nga qytetarët që duan të informojnë për dëme.


