Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ka folur për masat që Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar se do të marrë ndaj Kosovës.
Sipas Kurtit BE-ja tek Kosovë e gjen partnerin më të sinqertë në rajon.
“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian, një listë të masave kundër
Kosovës. Bashkim Evropian te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë në rajon, parimeve demokratike dhe interesave afatgjata. Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin, së pari popullin e pastaj Qeverinë”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se kanë qenë kritikë në disa raste ndaj BE-së, por se nuk janë treguar cinikë e të hidhëruar.
“Në raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinikë e as të hidhëruar, nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar, dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim ketë e bëmë duke besuar se në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni sepse besojmë në këtë union, të njëjtin besim e kemi edhe sot”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se e vlerësojnë përkrahjen dhe ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim. “Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë”, është shprehur Kurti.
Ndryshe, Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.
Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.
Gjatë këtij debati, Lajçak u ka sqaruar eurodeputetëve hapat konkretë që BE-ja u ka propozuar Kosovës dhe Serbisë për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
Në këtë debat, shumica e deputetëve të PE-së kanë kritikuar qasjen e BE-së. Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë.
Deputetët e PE-së kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj Serbisë, por as Lajçak dhe as Koopman nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Dy zyrtarët evropianë, megjithatë përsëritën disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”
Ndërsa, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka thënë se masat e shpallura ndaj Republikës së Kosovës “nuk janë vetëm skandal dhe dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së, por rrezikojnë edhe sigurinë e të gjithëve”.


