Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 26 qershorit ka ndodhur një shpërthim në Mitrovicën e Veriut, respetivisht në oborrin e kësaj komune, ku edhe janë shkaktuar disa dëme, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Lajmin për shpërthimin e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Më datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës.
Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, tha Kelani.
Ai tha se nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë.
Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, “kryerja e veprës terroriste”.
Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në ofrim të sigurisë dhe parandalim të akteve të tilla kriminale ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.



